Telegrafi

Primozh Gliha publikon listën e Kosovës për ndeshjet e nëntorit, rikthehen tre lojtarë

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Primozh Gliha, e ka bërë publike listën prej 24 futbollistëve që do t’i ketë në dispozicion për dy ndeshjet e këtij muaji. 

Dardanët më 10 nëntor e zhvillojnë miqësoren kundër Jordanisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, derisa katër ditë më pas e luajnë ndeshjen e fundit kualifikuese për Botërorin 2022 kundër Greqisë në Athinë.

Në këto dy ndeshje, ekipi i Kosovës do të udhëhiqet nga slloveni Primozh Gliha, i cili është caktuar pasues i përkohshëm i të shkarkuarit Bernard Challandes.

Lexo po ashtu Primoz Gliha do ta drejtojë Kosovën në ndeshjet ndaj Greqisë dhe Jordanisë

Gliha për këto dy ndeshje ka vendosur t’i ftojë gjithsej 24 futbollistë, ku janë edhe tri rikthime të rëndësishme.

Valon Berisha, Edon Zhegrova dhe Blendi Idrizi janë futbollistët që janë rikthyer te Kosova, pasi vuajtën nga lëndimet në ndeshjet e kaluara dhe munguan.

Në këtë listë nuk mungojnë as yjet e përhershëm si Amir Rrahmani, Vedat Muriqi dhe Milot Rashica.

Në anën tjetër, Florent Hadergjonaj mungon shkaku i lëndimit, ndërsa Ibrahim Dresevic ka kompletuar numrin e kartonëve.

Stërvitja e parë mbahet të hënën, në orën 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”. /Telegrafi/