Pri Film Fest, i njohur si Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë, përfundoi me sukses edicionin e 16-të, duke e shndërruar kryeqytetin e Kosovës në qendrën e kinemasë për gjashtë ditë radhazi.
Atmosfera ishte e gjallë dhe plot emocion, me shumë filmbërës, aktorë dhe të ftuar nga bota e filmit që morën pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore.
Telegrafi ishte aty për të parë nga afër këtë edicion dhe për të marrë përshtypjet e disa prej pjesëmarrësve kryesorë.
Suksesi i organizimit dhe mbyllja me një film të veçantë
Sipas organizatorit të festivalit, Fatos Berisha, festivali kaloi pa ndonjë telashe dhe përfundoi suksesshëm. Ai deklaroi: “Ka shkuar pa asnjë telashe dhe pa ndonjë problem, dhe ja sot jemi në natën e fundit. Momentalisht është duke u shfaqur filmi i fundit, që është filmi i Luana Bajramit, ‘Bota jonë’, një film i jashtëzakonshëm që e ka pasur premierën në Festivalin e Venedikut”.
Ai shtoi se pas shfaqjes së filmit, do të mbahej edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve, me të cilën përfundon zyrtarisht edicioni i 16-të i Pri Film Fest. Berisha e përshkroi PriFest-in si një festë të madhe për komunitetin artistik.
Vlerësimi i jurisë dhe rëndësia për aktorët
Aktoria Aurita Agushi, e cila ishte pjesë e jurisë për filmat e metrazhit të mesëm, ndau përvojën e saj rreth festivalit dhe rëndësinë e tij për artistët. Ajo u shpreh: “PriFest-iështë festa jonë e të gjithë komunitetit artistik, posaçërisht për ata që merren specifikisht me filmin. Unë vitin e kalaur e kam hapru dhe mbyllu PriFest-in si nikoqire e PriFest-it, këtë vit kam qenë anëtare e jurisë së filmave të metrazhit të mesëm”.
Kjo tregon rëndësinë që Pri Film Fest ka si një platformë për të lidhur artistët lokalë me profesionistë ndërkombëtarë dhe për të krijuar mundësi të reja në industrinë e filmit.
Përvoja e aktorëve pjesëmarrës
Aktorja Yllka Lota ndau emocionet e saj për përfshirjen në festival, duke theksuar rëndësinë e tij për zhvillimin artistik të komunitetit.
“Kjo është një diçka shumë e mirë. Unë pata fatin me i taku disa njerëz, pavarësisht që s’kisha mundësi të jem pjesë e të gjitha workshop-ave. Por dyert e PriFest-it janë gjithmonë të hapura dhe sjellin risi çdo herë”. Ajo nënvizoi se festivali është një mundësi e shkëlqyer për artistët dhe publikun për t’u angazhuar më afër me botën e filmit.
Vlerësimet për aktorët dhe regjisorët
Aktorët dhe regjisorët kosovarë arritën të korrin suksese të mëdha gjatë këtij edicioni.
Aktori Sunaj Raça, i cili fitoi çmimin për aktorin më të mirë për rolin e tij në filmin “Silence of the Sirens”, u shpreh se ky çmim kishte një domethënie të veçantë për të dhe për të gjithë krijuesit e filmit: “Ky çmim, si krejt çmimet, ka një domethënie, sidomos për neve krijuesve, artistëve. Kjo është një mirënjohje dhe një satisfaksion për gjithë punën që kemi bërë gjatë këtij projekti filmik”.
Regjisorja Luana Bajrami, e cila fitoi çmimin për arritje vjetore, theksoi vlerësimin e saj për mbështetjen e madhe që kishte marrë nga PriFest dhe organizatori Fatos Berisha: “Realisht e vlerësoj shumë nga Fatosi që ma mundësoi këtë. Kjo është një nder për gjithë punën që e kam bërë, jo vetëm për këtë film”.
Bajrami shprehu emocionet e saj për mundësinë e prezantimit të filmit të saj në një festival të tillë prestigjioz.
Lista e fituesve të Pri Film Fest 2024:
-Filmi më i mirë i shkurtër: “Highway of a Broken Heart” – Nikos Kyritsis, Greqi
-Filmi më i mirë i metrazhit të mesëm: “And The Wind Weeps” – Aulona Selmani, Zvicër
-Filmi më i mirë ballkanik: “Silence of the Sirens” – Gazmend Nela, Kosovë
-Aktori më i mirë: Sunaj Raça për “Silence of the Sirens”, Kosovë
-Regjisorja më e mirë: Una Gunjak për “Excursion”, Bosnjë
-Aktorja më e mirë: Lana Barić për “This Is Not A Love Song”, Kroaci
Ky edicion i Pri Film Fest edhe njëherë dëshmoi rolin e tij të rëndësishëm në promovimin e kinematografisë ballkanike dhe ndërkombëtare.
Me çmime që nderojnë punën e artistëve të rinj dhe të njohur, festivali ka arritur të krijojë një platformë që vlerëson dhe nxit kreativitetin dhe bashkëpunimin në industrinë e filmit. /Telegrafi/
Fotografi të tjera nga ceremonia: