Është bërë prezantimi i platformës online për financimin publik të organizatave të shoqërisë civile, e cila është organizuar nga Zyra e Kryeministrit përkatësisht Zyra për Qeverisje të Mirë më mbështetjen e Projektit të Asistencës Teknike të Bashkimit Evropian.
Me këtë rast u tha se kjo platformë do të përmirësojë transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve publike dhe krijimin e besimit të ndërsjellë ndërmjet shoqërisë civile dhe institucioneve publike.
Përmes kësaj platforme do të mundësohet që të monitorohen të gjitha shpenzimet e fondeve publike për organizatat e shoqërisë civile dhe të kontribuojë në respektimin e parimeve themelore të menaxhimit të mirëfilltë financiar në të gjitha organizatat buxhetore.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, tha se shpreson që kjo platformë do të zbatohet dhe nuk do të mbesë në sirtar.
“Kjo platformë shpresojë shumë që nuk ka me qenë një dokument që vendoset në sirtar dhe si një mekanizëm që mundohet ta mbulojë mostransparencën. Nëse në një shtet demokratik gjithçka funksionon mirë brenda sektorit publik, e vetmja formë për të balancuar sektorin privat dhe publik është shoqëria civile. Nuk kemi liri të lëvizjes, kemi pafund keqpërdorim të parasë publike, dhe kjo na bënë të mendojmë se cila është strategjia jonë që ta kthejmë mbarë vendin. Sigurisht që nuk ka me qenë e lehtë. Ka ardhur koha që të hapim me kritere thirrje publike brenda së cilës njerëzit munden me e pa se pse një organizatë e ka fituar grantin ose pse nuk e ka fituar”, tha ai.
Zëvendësshef i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri tha se kjo platformë do të rrisë transparencën.
“Platforma është aty për të siguruar transparencë dhe besoj që do të kontribuojë në këtë. E parandalon konfliktin e interesit dhe të korrupsionit. Ka shumë më tepër për të bërë në aspektin e transparencës. Përmes kësaj platformë taksapaguesit do të kenë mundësi të dinë se cilat organizatat po financohen”, tha ai.
Ai tha se është e rëndësishme qëndrueshmëria e projekteve, ku tha se kanë financuar një numër të projekteve disa kanë qenë më të suksesshme disa jo. Ka problem me qëndrueshmërinë e disa projekteve.
Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e Platformës CiviKos, tha se kjo platformë është një hap tutje në ngritjen e transparencës në Kosovë.
“Është një hap tutje në ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies në Kosovë. Kjo platformë është shumë e mirë. Kjo platformë duhet të jetë shembull për të gjitha institucionet, duhet edhe ministritë të mbushin me të dhëna. Rëndësia e kësaj platformë është se rrjeti i donatorëve është duke u tkurrur”, tha ajo.
Habit Hajredini, drejtor në Zyrën për Qeverisje të Mirë, tha se kjo platformë është ndër më të mirat në rajon.
“Sot ne bëjmë publike platformën qendrore për financimin e organizatave të shoqërisë civile. Është një nga praktikat më të mira në rajon. Shpresojmë që kjo platformë do t’i ndihmojë një procesi transparent për financimin e organizatave nga institucioni”, tha ai. /KP/