Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) organizon aktivitetin e radhës ku do të bëhet publikimi i raportit: “Perceptimi i komuniteti serb kundrejt Policisë së Kosovës: Mike apo Armike?”.
Integrimi i komuniteteve etnike, në veçanti i komunitetit serb, në Policinë e Kosovës, ka qenë një nga prioritetet kryesore të institucioneve të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar.
Procesi i integrimit filloi menjëherë pas luftës në Kosovë dhe gjatë viteve është përballur me shumë sfida, kryesisht për shkak të rezistencës së komunitetit serb të Kosovës për të njohur autoritetin e PK-së si pjesë legjitime e Shtetit të Kosovës.
Ky raport përmbledh gjendjen ekzistuese në lidhje me qëndrimin e komunitetit serb të Kosovës kundrejt PK-së në komunat me shumicë serbe, duke u fokusuar në katër komunat veriore të Kosovës.
Punimi mbulon kontekstin e ngjarjeve dhe zhvillimeve kryesore, dhe e paraqet perceptimin publik kundrejt PK-së si rezultat të tensioneve politike në veri dhe gjendjes së përgjithshme të frikës në mesin e popullatës.
Përveç kësaj, punimi analizon shqetësimet kryesore të sigurisë të komunitetit serb të Kosovës, si dhe ofron disa rekomandime për adresimin e shqetësimeve dhe sfidave të tilla nga këndvështrimi i komunitetit.
QKSS zhvilloi gjashtë diskutime të ndara me qytetarë dhe përfaqësues të policisë në komunën e Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, Graçanicë dhe Shtërpcë.
Këto u pasuan nga intervista ballë për ballë me përfaqësuesit e qeverisë si dhe me shoqërinë civile. Ekipi bëri analizën e përmbajtjes së dokumenteve zyrtare, raporteve ekzistuese dhe shqyrtimeve të kornizave ligjore përkatëse.
Gjetjet e përgjithshme janë mbështetur edhe nga përfshirja e ekipit të QKSS në procese të ndryshme relevante, si dhe në konsultimet me aktorët përkatës.