Telegrafi

Prezantohet juria e filmave të shkurtër në PriFest

Janë prezantuar anëtarët e jurisë të kategorisë garuese së filmave të shkurtër në PriFest.

BLERTA BASHOLLI

Blerta Basholli është një skenariste/ regjisore me një stil unik vizual realist. Tregimet e saj trajtojnë çështje sociale dhe gjinore nga vendi ku është lindur dhe rritur, Kosova, dhe përtej saj. Filmi i saj debutues “Zgjoi” (2021) theu rekordet në Sundance, ku ajo fitoi Çmimin e Jurisë së Madhe, Çmimin për Regji, dhe Çmimin e Publikut në kategorinë e Kinemasë Botërore Dramatike, duke u bërë filmi i parë në historinë e Festivalit të Filmit Sundance që i arrin të tria këto çmime. Në vitin 2008, ajo u nderua me Bursën e Dekanit në Programin e Filmit në Tisch School of the Arts – NYU. Ajo jetoi në Neë York për katër vjet, ku pati mundësinë të punonte në disa projekte filmike si studente. Në vitin 2011, u kthye në vendlindjen e saj, dhe punoi në shumë filma të shkurtër dhe të gjatë.

MICHAEL PENTNEY

Producenti Michael Pentney nga Britania e Madhe ka qenë i angazhuar në filma të zhanreve të ndryshme, duke u fokusuar në tema me ton emocional dhe social. Së fundmi, pasi ka adoptuar dy fëmijë të vegjël, ai ka interes për përbërjen e shoqërisë dhe ndikimin që ambientet tona kanë mbi ndjenjat dhe veprimet tona. Përveç prodhimit të filmave, ai është pjesë e ekipit drejtues në një nga kompanitë më të vjetra dhe më të suksesshme të post-produksionit në Mbretërinë e Bashkuar.

ARMENIS NOKSHIQI

Amernis Nokshiqi është aktore e njohur e Teatrit Shqiptar të Shkupit, me shumë role të suksesshme në filma dhe teatër. Ndër projektet e saj të fundit janë filmat “Heshtja e sirenave” dhe “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”. E vlerësuar me çmime të shumta në rajon, Amernis vazhdon të shkëlqejë në teatër dhe film.

Edicioni 16-të i PriFest mbahet prej 10-15 shtator 2024 në Kino Armata.