Site icon Telegrafi

Prezantim mbresëlënës i Ermal Metës në Eurovision

Ermal Meta dhe Fabrizio Moro (Foto: Getty Images)

Këngëtari i njohur shqiptar, Ermal Meta, së bashku me këngëtarin italian, Fabrizio Moro, janë përfaqësues të Italisë në edicionin e sivjetmë të Eurovisionit.

Dy këngëtarët e kanë mbyllur konkurrimin e 26 shteteve finaliste në Altice Arena të Lisbonës, në Portugali.

“Non mi avete fatto niente” titullohet kënga e tyre (që në shqip përkthehet “Nuk më keni bërë asgjë”) dhe është interpretuar për mrekulli nga Meta dhe Moro.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet për EUROVISIONIN

Në një prononcim të shkurtër për Telegrafin para finales, drejtpërsëdrejti nga Lisbona, Ermal Meta kishte rrëfyer emocionet e natës finale, duke thënë se ndjehet i lumtur që ka rastin të ngjitet në një skenë të madhe si ajo e Eurovisionit.

“Ndihem mirë dhe mezi po pres që të shkoj në skenë. Ndihem i nderuar që e përfaqësoj Italinë në këtë Eurovision që është plot me këngë të mrekullueshme”, ka deklaruar Ermali për Telegrafin.

Ermal Meta dhe Fabrizio Moro (Foto: Getty Images)

Ai tregoi më tej se tematika e këngës së tyre është shumë sociale, ndaj shpreson që publiku të reflektojë nga mesazhi që përçon ajo.

“Kënga jonë ashtu siç e thotë edhe veti titulli ‘Ti nuk më ke bërë asgjë’, iu drejtohet terroristëve, duke u thënë atyre, se ata nuk mund të na bëjnë asgjë, jemi më të fuqishëm se asnjëherë”, ka thënë Meta. /Telegrafi/

Exit mobile version