Telegrafi

Pretendimet e ish-ushtarëve, izraelitët me ndihmën e teknologjisë së identifikimit të fytyrave përcjellin palestinezët

Ushtria izraelite përdor programin për identifikimin e fytyrave, me qëllim që përmes tij të mund të përcjellin palestinezët në Bregun Perëndimor, shkruan Washington Post.

Ish-ushtarët izraelitë kanë zbuluar se bëhet fjalë për teknologjinë për telefona të mençur që quhet “Blue Wolf”, që memorizon fotografitë e palestinezëve dhe i ruan në një databazë, transmeton Telegrafi.

Kur fotografia ngarkohet, “Blue Wolf” e lidh me personin në bazën e të dhënave. Më pas telefoni i ushtarit tregon njoftimin me ngjyrë që flet nëse ai person duhet arrestuar, mbajtur apo injoruar.

Ushtria izraelite mbush data-bazën me mijëra fotografi të palestinezë tash e dy vite, e më herët janë mbajtur “gara” në të cilat ushtarët janë graduar dhe shpërblyer për fotografimin e sa më shumë njerëzve.

Një prej ish-ushtarëve ka thënë se databaza në thelb është “Facebooku për palestinezë”. Përveç kësaj, ushtria izraelite ka vendosur kamera në qytetin Hebron, që skanojnë fytyrat e palestinezëve dhe i identifikojnë për nevoja të ushtarëve nëpër punkte.

Disa prej kamerave të sigurisë janë të kthyera kah shtëpitë private – duke mundësuar survejim të drejtpërdrejtë 24/7. Ish-ushtarëve u është thënë se sistemi mbikëqyrës është themeluar për të parandaluar sulmet terroriste.

Hebroni është një vend i konfliktit të gjatë mes izraelitëve dhe palestinezëve. Pjesa më e madhe e qytetit menaxhohet nga ushtria izraelite, që aplikon masën e orës policore dhe masa tjera kufizuese siç është lëvizja e qytetarëve.

Megjithatë, ish-ushtarët thonë se sistemi për identifikimin e fytyrave është shumë brengosës.

“Nuk do të ndihesha mirë ta përdorin në qendra tregtare në qytetin tim. Njerëzit janë të brengosur për shkak të gjurmëve të gishtërinjve”, tha një ish-ushtar. /Telegrafi/