Telegrafi

Presion i hatashëm ndaj lojtarëve malazezë të lindur në Serbi: Një serb i vërtetë, nuk luan kundër Kosovës

Mali i Zi do të jetë nikoqir i Kosovës gjatë mbrëmjes së sotme në kuadër të kualifikimeve për kampionatin evropian të vitit 2020.

Malazezët do të mirëpresin Dardanët në stadiumin e qytetit të Podgoricës me fillim në ora 20:45.

Tashmë dihet se në kombëtaren vendase luajnë edhe disa lojtarë që për kombësi janë serbë.

Kjo ka bërë që të fillojë një presion i paparë gjatë ditës së djeshme dhe sotme të mediave serbe, të lidhura me pushtetin, ndaj Mirko Ivanic, Filip Stojkovic, Adam Marusic, Marko Simic dhe Vukan Savicevic.

“Nëse jeni serbë, mos luani kundër Kosovës”, ishte titulli gazetës beogradase, Informer, e cila është e afërt me presidentin Aleksandar Vucic.

“Ata nuk përgjigjen në telefon”, “Pesë lojtarët tanë nuk duhet të kenë dilemë të premten. Refuzoni të luani kundër Kosovës”, “Një serb i vërtetë nuk luan kundër Kosovës”, janë vetëm disa tituj të mediumeve serbe.

Lexo po ashtu Kosova përballë Malit të Zi: Statistika, analizë dhe parashikim

Sipas Vijesti, futbollistët malazezë të lindur në Serbi po përballen edhe me presionin e tifozëve, të cilët po u kërkojnë që të mos paraqiten ndaj Dardanëve.

Ndryshe, Kosova zë pozitën e tretë të renditjes tabelore të grupit A me një pikë, po aq sa ka edhe Mali i Zi i vendit të katërt, por që ka një ndeshje më shumë. /Telegrafi/