Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në aktivitete që lidhen me agjendën për gratë, paqen, ekonominë dhe sigurinë.
Gjatë vizitës së saj, Osmani ka zhvilluar takime të rëndësishme me lidershipin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, si dhe përfaqësues të gjigantëve teknologjikë, Google dhe Amazon.
Në këto takime, fokus kryesor i diskutimeve ka qenë bashkëpunimi ekonomik, investimet strategjike dhe zhvillimi digjital.
“Bashkëpunimi ekonomik, investimet strategjike dhe zhvillimi digjital ishin në qendër të diskutimeve në takime me lidershipin e American Chamber of Commerce, si dhe me përfaqësuesit nga Google dhe Amazon,” ka shkruar Osmani në Facebook, duke vlerësuar rëndësinë strategjike të këtyre marrëdhënieve për avancimin e perspektivës ekonomike të Kosovës.
Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në platformat globale digjitale për të fuqizuar sektorin privat dhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve digjitale për qytetarët.
“Synimi ynë është përfshirja e plotë dhe e saktë Kosovës në platformat më të mëdha digjitale globale, për të fuqizuar sektorin privat në vend, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve digjitale për qytetarët dhe për të avancuar më tej marrëdhëniet tona bilaterale”, ka shkruar Osmani./Telegrafi/