Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ndodhet për një vizitë në Estoni me ftesë të autoriteteve shtetërore të Estonisë.
Gjatë qëndrimit dyditor, Osmani do ta ketë takim me presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid, presidentin e Parlamentit, Jüri Ratas, kryeministren Kaja Kallas, si dhe kryesuesin e Komitetit për çështje evropiane, Siim Kallas.
Presidentja Osmani, vizitën në Estoni e ka cilësuar mundësi të mirë për vendosjen e bashkëpunimit me shtetin i cili bart primatin në nivel global për E-qeverisje. Dita e dytë e vizitës, do t`i kushtohet agjendës transformuese digjitale me ç`rast do të bëhen vizita në e-Estonia Briefing Center dhe Telliskivi Creative City.
Me ftesë të presidentes Osmani në delegacion do të jenë edhe përfaqësues të tri kompanive të fushës së inovacionit nga Kosova: Mërgim Cahani (Gjirafa), Jeta Zagraxha (UCK) dhe Uranik Begu (ICK).
Presidentja Osmani ka theksuar se vizita në Estoni do t`i hapë rrugë vendosjes së bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve, por edhe ndërmjet bizneseve. Sipas Osmanit Kosova mund të përfitojë nga përvoja e Estonisë nga fusha e teknologjisë informative, ekonomia mbrojtja, siguria, arsimi, shëndetësia, turizmi dhe shkëmbimi kulturor.
Republika e Estonisë e ka njohur Republikën e Kosovës më 21 shkurt të vitit 2008, ndërkaq marrëdhëniet diplomatike janë vendosur nga prilli i të njëjtit vit. /Telegrafi/