Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Ferenc Kajári, me të cilin diskutoi çështjen e sigurisë në vend dhe zhvillimet e fundit në kontinentin evropian pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë.
Në njoftimin nga Presidenca thuhet se Osmani shprehu mirënjohje për punën e KFOR-it dhe kontributin e tyre për paqe dhe siguri.
Ne anën tjetër, komandanti Kajári ritheksoi përkushtimin e trupave të KFOR-it në mbështetjen e një mjedisi të sigurt dhe paqësor në të gjithë vendin.
Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 10 mars i është drejtuar me një letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, nga i cili ka kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Në letrën e saj të cilën e ka siguruar Telegrafi, presidentja Osmani ka theksuar se Kosova sot është faktorë kyç në promovimin e stabilitetit rajonal, duke shprehur që SHBA-të në këtë kohë sfiduese për të gjithë, mund të llogarisin në mbështetjen e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/