Site icon Telegrafi

Presidentja Osmani takohet sërish me emisarin Escobar: Presim me padurim rritjen e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar sot sërish të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, para se ky i fundit, bashkë me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak të udhëtojnë për vizitë në Serbi.

“U takuam sot me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, në ditën e tij të fundit në Kosovë. Shpreha përkushtimin tonë të palëkundur në marrëdhëniet Kosovë-ShBA dhe presim me padurim rritjen e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët”, shkroi Osmani në një postim në Twitter, transmeton Telegrafi.

Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, para përfundimit të vizitës treditore në Kosovë, sot kanë ndërsa nesër do e fillojnë vizitën e tyre në Serbi.

Marrëveshja e arritur në vitin 2013 për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë ishte një nga temat që diplomatët perëndimorë diskutuan me autoritetet kosovare, liderët e opozitës dhe shoqërinë civile, gjatë dy ditëve të fundit.

“Ne nuk kemi ardhur këtu me recetë propozimesh që do të donim t’i impononim. Në fakt, ne po kërkojmë nga të dyja palët [Kosova dhe Serbia] që të jenë konstruktive, t’i ofrojnë vizionet e tyre se si duhet të duket Asociacioni dhe pastaj të negociojnë prej aty, në kuadër të dialogut”, tha Escobar në konferencën e përbashkët me Lajçakun. /Telegrafi/

Exit mobile version