Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot (e hënë) drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, me në krye presidentin Ismet Krasniqi.
Meqenëse ishte takimi i parë mes presidentes Osmani dhe presidentit Krasniqi, të dy uruan njëri-tjetrin për zgjedhjen e tyre në krye të shtetit të Kosovës, respektivisht KOK-ut.
Presidenti Krasniqi shoqërohej edhe nga sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, nënpresidentët Gazmend Maxhuni e Milaim Kelmendi, anëtarët e Bordit Ekzekutiv, Avni Nuha e Halil Sylejmani, këshilltari i tij, Besim Aliti dhe shefi i misionit, Jeton Rudari.
Presidenti Krasniqi e ka njoftuar presidenten Osmani me përgatitjet që po bënë ekipi olimpik i Kosovës para udhëtimit për në Tokio të Japonisë, si dhe me numrin e sportistëve dhe gjasat për të fituar medalje.
Presidentja Osmani, duke shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me Komitetin Olimpik të Kosovës, i ka uruar fat ekipit tonë, me shpresën dhe besimin se nga Tokio 2020 do të kthehemi me medalje.
Presidenti Krasniqi i ndau presidentes edhe uniformën zyrtare me të cilën ekipi olimpik i Kosovës do të paraqitet në Lojërat Olimpike Tokio 2020.
Takimi u mbajt para ceremonisë së dorëzimit të flamurit nga presidentja për ekipin olimpik, ceremoni kjo që mbahet sonte në amfiteatrin e Pishinës së Gërmisë në Prishtinë, me fillim në ora 19:30.