Site icon Telegrafi

Nis takimi i presidentes Osmani me delegacionin nga Shtëpia e Bardhë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim një delegacion nga Shtëpia e Bardhë. 

Takimi është duke u zhvilluar në presidencë, ndërsa para takimit mediat kanë mundur të marrin pamje.

Ende nuk dihet nëse pas takimit do të ketë deklarim për media, transmeton Telegrafi.

Ditë më parë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani i ka dërguar një letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ku i ka kërkuar ndihmën e SHBA-së për t’u anëtarësuar në NATO.

Në letrën e Osmanit të cilën Telegrafi të enjten e publikoi ekskluzivisht thuhej se Kosova sot është faktorë kyç në promovimin e stabilitetit rajonal, duke shprehur që SHBA-të në këtë kohë sfiduese për të gjithë, mund të llogarisin në mbështetjen e Republikës së Kosovës.

“Kjo është në fund të fundit vendosmëria e popullit të Kosovës, por është edhe arritja jonë e përbashkët, prandaj SHBA-të vazhdojnë të mbajnë një vend të veçantë në zemrat dhe mendjet e popullit tonë. Në këtë kohë sfiduese, dhe si gjithmonë, Shtetet e Bashkuara mund të vazhdojnë të llogarisin në Republikën e Kosovës si një mike dhe aleate e përkushtuar dhe si një vend që do të mbrojë interesat tona të përbashkëta”, ka shkruar Osmani në letrën drejtuar Biden.

Tutje, presidentja Osmani ka shkruar se Republika e Kosovës ka dëshmuar vazhdimisht se si dhe pse e meriton, beson plotësisht se duhet të jetë anëtare e plotë e familjes euroatlantike të kombeve.

“Kosova është vendi më pro-amerikan dhe pro NATO-s në botë. Megjithatë, edhe sot e kësaj dite, Kosova mbetet e përjashtuar nga procesi, marrëveshjet dhe programet e zgjerimit të NATO-s, siç është Partneriteti për Paqe (PfP) dhe ende nuk është bërë anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut (A5). Duke pasur parasysh këtë, ne shprehim besimin dhe pritshmërinë tonë që SHBA-të do të përdorin lidershipin dhe ndikimin e tyre për të mbështetur dhe avancuar në mënyrë aktive procesin kompleks të anëtarësimit në NATO për Kosovën duke filluar me programin PfP dhe anëtarësimin e plotë në Kartën e Adriatikut”, shkruan më tej Osmani në letrën e saj. /Telegrafi/

 

 

 

 

Exit mobile version