Për nder të 15- vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ka pranuar letra urimi nga krerët e disa shteteve: Australia, Belgjika, Finlanda, Holanda, Turqia, Hungaria, Emiri i Katarit, Emiri i shtetit të Kuvajtit, Letonia, Luksemburgu, Malta, Mbreti i Arabisë Saudite, Senegali, Suedia, Senegali dhe Tajlanda.
Në letrat e urimit, krerët e këtyre shteteve kanë uruar presidenten Osmani, duke dëshiruar përparim të mëtejmë të shtetit të Kosovës dhe vazhdimësi të marrëdhënieve të shkëlqyera me to.
Guvernatori i Përgjithshëm i Australisë, David Hurley, në letrën e tij të urimit ka shfaqur besimin se marrëdhëniet miqësore me Kosovën do të vazhdojnë të lulëzojnë edhe në vitin e ardhshëm. Mbreti Philippe i Belgjikës, ai i Holandës, Willem – Alexander R, Mbreti i Suedisë, Carl Gustav R, Mbreti i Tajlandës, Maha Vajiralongkorn R, si dhe presidenti i Finlandës Sauli Niinistö, kanë uruar shëndet, mbarësi e prosperitet për popullin e Kosovës.
Në letrën e urimit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, ka theksuar se Turkiye do të vazhdojë mbështetjen e fuqishme të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe integrimin e saj në BE-në dhe në institucionet euroatlantike.
Presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, në urimin e saj ka shfaqur besimin se qytetarët e Kosovës së shpejti do të udhëtojnë pa viza. Kurse Emiri i Katarit, Tamim Bin Hamad Al-Thani, ka uruar më shumë përparim e zhvillim për Kosovën dhe forcim të mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Meshal Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, zv.Emir i shtetit të Kuvajtit në urimin drejtuar presidentes Osmani ka zhvillim e prosperitet të mëtejshëm.
Ndërkaq, Kujdestari i Dy Xhamive të Shenjta, Salman Bin Abdulaziz Al-Saud, ka uruar lumturi, shëndet dhe përparim të mëtejshëm për Qeverinë dhe popullin mik të Republikës së Kosovës.
Edhe Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, Presidenti i Lartë i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan dhe Lartësia e tij Sheikh Mohammed bin Rashid Al Maktoum, zëvendëspresident, kryeministër dhe sundimtar i Dubait, kanë uruar presidenten Osmani në 15-vjetorin e pavarësisë.
Letër urimi për 15-vjetorin e Pavarësisë, presidentja Osmani ka marrë edhe nga presidenti i Letonisë, Egils Levits.
“Letonia vlerëson lart marrëdhëniet miqësore me Kosovën që bazohen në interesat dhe mbështetjen e përbashkët. Në kontekstin aktual global, bashkëpunimi ndërmjet vendeve tona bëhet edhe më i rëndësishëm për të ruajtur demokracinë dhe lirinë”, thuhet në telegramin e presidentit Levits.
Presidenti i Maltës, George Vella në urimin e tij, përmendë pjesëmarrjen në Forumin e parë të Grave, Paqes dhe Sigurisë vitin e kaluar dhe më tej premton mbështetje për Kosovën. “Malta pret me padurim të vazhdojë mbështetjen e Kosovës në zbatimin e reformave dhe përafrimin e institucioneve të saj qeverisëse me parimet dhe vlerat thelbësore të BE-së, për të përmirësuar më tej perspektivën e saj të Bashkimit Evropian”, thuhet në telegramin e presidentit Vella.
Letër urimi për 15 vjetorin e pavarësisë, presidentja Osmani ka pranuar edhe nga Senegali.