Site icon Telegrafi

Osmani vizitë në Turqi me ftesë të presidentit Erdogan, viziton një kompani që prodhon dronë ushtarak

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit Recep Tayyip Erdogan ka nisur vizitën zyrtare në Turqi.

Ajo fillimisht ka vizituar një kompani që prodhon dronë ushtarak.

Ndërsa, në njoftimin për media të Presidencës u bë e ditur se gjatë qëndrimit në Stamboll, presidentja Osmani do të zhvillojë takime me odat ekonomike, prodhues industrial, përfaqësues biznesesh si dhe me komunitetin shqiptar të Turqisë.

Në këto takime ajo shoqërohet nga një delegacion i bizneseve kosovare për t`i parë nga afër mundësitë e bashkëpunimit me bizneset turke.

“Vizitën në Turqi e fillova në fabrikën për prodhimin e dronëve “Baykar”, në Stamboll, e cila është një rrëfim inspirues për arritjet në sferën e avancimit teknologjik dhe inovacionit të ndërlidhur me sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë”, shkruan Osmani në Facebook.

Ndërkaq në vazhdimin e vizitës, në Ankara, Osmani do të takohet me homologun e saj, presidentin Erdogan, në të cilin përveç diskutimit për marrëdhëniet aktuale, do të shihen edhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit.

Përveç me presidentin Erdogan, presidentja Osmani do të takohet edhe me kryetarin e parlamentit turk, Mustafa Şentop si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit turk. /Telegrafi/


 

Exit mobile version