Site icon Telegrafi

Presidentja Osmani kërkon mbështetjen e Letonisë për anëtarësim në NATO, thotë se kërcënimet që vijnë nga Rusia janë të shumta dhe serioze

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë për media pas takimit me presidentin e Letonisë, Egils Levits tha se Letonia është një zë kyç në NATO dhe BE, prandaj ka kërkuar mbështetje nga presidenti Levits në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit euroatlantik.

Ajo u shpreh se si dy vende mike do të kontribuojnë për të mbështetur paqen dhe stabilitetin.

“Është vizita e parë e një presidenti nga Letonia në vendin tonë. Shpreha dëshirën tonë të fortë për siguruar një bashkëpunim të ngushtë në fushën e sigurisë, digjitalizimit dhe në fusha të tjera. Jam e bindur se si dy vende mike do të kontribuojmë për të mbështetur paqen dhe stabilitetin.

Gjatë takimit shpreha mbështetjen time të plotë për popullin dhe shtetin e Ukrainës, gjë që është reflektuar më së miri dhe në vendimet tona, në bashkplotëni e kemi dëshmuar në sanksione kundër Rusisë për të pritur refugjatë ukrainas dhe për të mbështetur gazetarët ukrainas. Shpreha të njëjtë mbështetje edhe për Letonin dhe vendet mike baltike të cilat sot vazhdojnë të kërcënohen nga një fqinj agresiv dhe me tendenca hegjemonike autokratë dhe imperialiste, sfida të njohura edhe për vendin tonë këtu. Duke qenë se Letonia është një zë kyç në NATO dhe BE, kam kërkuar mbështetje nga Presidenti Levits në rrugëtimin tonë drejt integrimit euroatlantik”, tha tutje Osmani.

Po ashtu presidentja foli edhe për kërcënimet që i vijnë Kosovës nga Rusia dhe Serbia.

Presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media pas takimit me presidentin e Letonisë, Egils Levits

“Jam e bindur se me qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës si dhe me vendosmërinë tonë për të forcuar demokracinë dhe lirinë së bashku do të sfidojmë seriozisht kërcënimet që na vijnë nga Rusia dhe aleati i saj Serbia, e që paraqesin rrezik real për vendet tona e përtej”.

Presidentja Osmani tha se kërcënimet që vijnë nga Rusia janë të shumta dhe serioze.

“Kjo vizitë po ndodh jo vetëm në një moment vendimtar për Evropën, por në një moment vendimtar për historinë dhe arkitekturën e sigurisë globale. Si dy vende paqedashëse dhe demokratike ne ballafaqohemi me sfida të ngjashme, por fatmirësisht ndajmë të njëjta synime dhe të njëjtin përkushtim për të ndërtuar një kontinent evropiane më paqësor, më të bashkuar, e më të sigurt.

Kërcënimet që vijnë nga Rusia janë të shumta dhe serioze. Vendet si Letonia dhe Kosova që kanë jetuar me dekada të shumta duke u ballafaquar me probleme të mëdha për shkak të fqinjëve tanë… kemi paralajmëruar prej kohësh për pasojat dhe ambiciet e Putinit dhe bashkëpunëtorëve të tyre në vendet që janë satelitë të Rusisë e nuk janë sfiduar për një kohë të gjatë. Ashtu siç kemi folur zëshëm për këto çështje ndër vite, në të njëjtën mënyrë do të ngremë zërin tonë për sfidat dhe kërcënimet që Rusia dhe satelitët e saj në rajon vazhdojnë t’i paraqesin për vendet dhe shoqëritë tona”, tha Osmani. /Telegrafi/ 

 

Exit mobile version