Presidentja Vjosa Osmani, ka publikuar disa fotografi të reja në llogarinë e saj në Facebook, ku paraqiten ushtare gra të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ajo i ka përshkruar ato si shembull të përkushtimit dhe profesionalizmit, duke theksuar rëndësinë e rolit të grave në sektorin e sigurisë.
“Gratë në uniformë, profesioniste dhe të përkushtuara janë imazhi i Kosovës dhe i Forcës së Sigurisë së Kosovës që duam ta shohim gjithnjë e ta zhvillojmë në vazhdimësi,” ka shkruar presidentja.
Osmani vuri theksin edhe te rëndësia e përfshirjes së grave në proceset e sigurisë dhe vendimmarrje, duke theksuar rolin e Kosovës si lidere në promovimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
“Kosova është kampione e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, jo vetëm në rajon dhe Evropë, por edhe përtej. Sa më shumë gra në procese të sigurisë dhe vendimmarrje, aq më të sigurtë dhe më të fortë jemi si shoqëri dhe si shtet,” ka përfunduar Osmani.