Telegrafi

Presidentja Osmani e nderon Elbenita Kajtazin me titullin ‘Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës’

Foto: Screenshot/Facebook

Soprano e njohur, Elbenita Kajtazi, është pritur në takim gjatë ditës së sotme (e mërkurë) nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Këtë e ka bërë të ditur me anë të një postimi që ka shpërndarë me ndjekësit në Facebook.

Ylli, që jeton dhe vepron në Gjermani, njoftoi po ashtu se u dekorua nga presidentja me titullin ‘Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës”.

Foto: Screenshot/Facebook

Postimi i plotë i Kajtazit (pa ndërhyrje):

“Atdheu është qendër e rendesës, besoj, për të gjithë mërgimtarët. Forca gravituese e tij është e parezistueshme… Ajo na tërheq drejt Atdheut, edhe kur Ai nuk na ofron të gjitha ato që na duhen; sikur që jo secili prind mund t’i ofrojë fëmijës së vet ato që ka dëshirë…

Ardhja, kësaj herë në Atdhe më mbushi, përveç me dashurinë e pakursyeshme të familjes e të miqve, edhe me një kënaqësi të paprovuar deri më tani.

Ishte kjo ftesa e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe dekorimi me titullin Ambasadore nderi e Republikës së Kosovës me motivacionin: “ Për arritje kulmore në muzikën klasike, prezantimin e vlerave muzikore Shqiptare në skenën ndërkombëtare, si dhe afirmimin e Republikës së Kosovës, mbrojtjen e promovimin e kulturës Shqiptare gjithandej nëpër botë “

Kjo, sa më gëzoi, po aq më ngarkoi me një obligim shtesë, që ta përfaqësoj edhe më mirë atdheun tim dhe veten në skenat botërore të Operës…

Ju falem nderit, Presidente!”. /Telegrafi/