Site icon Telegrafi

Presidentja Osmani dhe ministrja austriake e Mjedisit, Gewessler flasin për Agjendën e Gjelbër

Në kuadër të vizitës zyrtare në Austri, presidentja Vjosa Osmani është takuar me ministren për Veprim Klimatik, Mjedis, Energji, Mobilitet, Inovacion dhe Teknologji, Leonore Gewessler, me të cilën ka biseduar për Agjendën e Gjelbër.

Sipas njoftimit për medie, Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës do të janë të përkushtuara për një të ardhme të gjelbër.

“Pandemia COVID-19 ka dëshmuar se sa i rëndësishëm është kujdesi ndërmjet aktivitetit tonë të përditshëm ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit, në funksion të shëndetit edhe për qytetarët”, ka theksuar Osmani.

Ajo gjithashtu ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për të jetësuar zotimet në kuadër të Deklaratës së Sofjes për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Në fund, ajo e ftoi ministren Gewessler dhe partnerët nga Bashkimi Evropian për ta ndihmuar Kosovën në këtë rrugëtim, në aspektin e ekspertizës, por edhe në atë financiar. /Telegrafi/

Exit mobile version