Telegrafi

Presidentja Osmani dekreton 48 gjyqtarë të rinj

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në pajtim me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) ka dekretuar sot 48 gjyqtarë të rinj.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, iu uroi mirëseardhje gjyqtarëve duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me gjyqtarët me qëllim të forcimit të sistemit gjyqësor, me ç’rast Zogaj ka kërkuar nga gjyqtarët e rijnë përkushtim dhe angazhim sa më të lartë.

“Me këtë përbërje të sistemit gjyqësor, së bashku do i japim një kthesë të rëndësishme sistemit gjyqësor brenda një periudhe të shkurtër sepse na presin sfida të mëdha, mirëpo nuk kam dilemë se të gjithë ju do të bëni një punë të mirë”, tha mes tjerash kryesuesi Zogaj.

Duke u bazuar në ligjet në fuqi, kandidatët për gjyqtarë para se të dërgohen tek Presidentja për emërim, i janë nënshtruar procesit të zgjedhjes, proces të cilin e ka udhëhequr KGJK.

Gjyqtarët e rinj të emëruar sot, do të shpërndahen në shtatë gjykatat themelore të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/