Site icon Telegrafi

Presidenti zviceran: Kosova të përkushtohet që serbët të kenë shkallë adekuate të vetë-menaxhimit

Presidenti i Zvicrës, Alain Berset, ka pritur të premten në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërkaq kanë folur për dialogun Kosovë-Serbi.

Presidenca zvicerane ka njoftuar se në takimin mes Berset dhe Kurtit, bisedimet iu kushtuan veçanërisht situatës në veri të Kosovës dhe procesit të udhëhequr nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Berset bëhet e ditur se ka theksuar mbështetjen e Zvicrës për procesin e normalizimit dhe ka bërë thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të negociuara në Bruksel dhe Ohër në pranverë.

“Në Serbi dhe Kosovë nevojiten hapa të besueshëm dhe pragmatizëm për ta rikthyer procesin në binarë. Prandaj, diskutimet trajtuan hapat e përcaktuar në marrëveshjet që do të ndërmerren nga të dyja palët, duke përfshirë përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të garantuar një shkallë adekuate të vetë-menaxhimit për komunat me shumicë serbe”, thuhet në njoftimin për media.

Sipas Presidencës, Zvicra mbështet aspiratën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, “veçanërisht pasi kjo do t’u mundësonte të gjithë banorëve të vendit – përfshirë anëtarët e pakicës serbe dhe komuniteteve të tjera – të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

“Z. Berset theksoi rëndësinë që Zvicra i jep një rajoni të qëndrueshëm dhe të begatë të Ballkanit Perëndimor. Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës janë zhvilluar në aspektin ekonomik, por potenciali i mëtejshëm mbetet. Siguria juridike dhe zbutja e tensioneve në rajon janë të rëndësishme në këtë drejtim”, thuhet tutje. /Telegrafi/

Exit mobile version