Telegrafi

Presidenti i Ukrainës i jep fund Traktatit të Miqësisë me Rusinë

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko i ka dhënë fund Traktatit të Miqësisë me Rusinë nëpërmjet një ligji të nënshkruar ditën e hënë.

Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të tij, Poroshenko tha se ligji është pjesë e strategjisë për t’u larguar plotësisht nga e kaluara koloniale dhe për t’u orientuar drejt Evropës.

Traktati do të jetë i pavlefshëm nga 31 marsi i vitit të ardhshëm, ndërsa deputetët ukrainas kanë votuar që të mos vazhdohet afati i tij.

I nënshkruar në vitin 1997, ky traktat e obligonte Rusinë dhe Ukrainën që ta respektojnë integritetin territorial të njëra-tjetrës dhe të garantojnë ruajtjen e vijës së përbashkët kufitare.

Sipas marrëveshjes, kërkohej që Ukraina dhe Rusia duhet të ndërtojnë marrëdhënie dypalëshe duke u mbështetur në parimet e respektit të ndërsjellë ndaj barazisë, kufijve dhe zgjidhjes paqësore të mospajtimeve, pa përdorur forcën dhe kërcënimet.