Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje liderëve botërorë të “G19” që t’i japin fund pushtimit rus, në një mospërfillje të theksuar ndaj Moskës në samitin e G20.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Zelensky u shfaq në një fjalim video drejtuar udhëheqësve të mbledhur për samitin në Bali, Indonezi.
Rusia është një anëtare e G20-ës, por presidenti Putin nuk është në Bali, duke dërguar ministrin e tij të jashtëm Sergei Lavrov.
Zelensky gjithashtu u lut për një zgjatje të një marrëveshjeje të eksportit të grurit ukrainas që do të skadonte së shpejti.
Në fjalimin e tij, Zelensky tha: “Jam i bindur se tani është koha kur lufta shkatërruese ruse duhet dhe mund të ndalet”.
Ai përshkroi një sërë strategjish, duke përfshirë sigurimin e sigurisë bërthamore dhe ushqimore, përfundimin e armiqësive dhe parandalimin e përshkallëzimit.
Por çfarë ra në sy gjithashtu ishte fakti se ai vazhdimisht iu drejtua liderëve si “G19”, duke përjashtuar Rusinë.
Kryesorja ndër kërkesat e tij ishte një zgjatje e asaj që njihet si “Iniciativa e Drithërave të Detit të Zi”, e cila u arritur në korrik midis Kombeve të Bashkuara dhe Rusisë.
Ajo siguroi që eksportet e ushqimeve të bllokuara në portet e Ukrainës nga luftanijet ruse mund të dërgoheshin jashtë vendit.
OKB thotë se që nga fillimi i marrëveshjes, 10 milionë ton drithë dhe ushqime të tjera janë eksportuar, duke parandaluar një krizë globale ushqimore. /Telegrafi/