Telegrafi

Presidenti i UEFA-s thotë se rasti “Negreira” është më i rëndi që ka parë ndonjëherë në futboll

Presidenti i U EFA-s, Aleksander Ceferin ka paralajmëruar Barcelonën se mund të përballet me ndëshkime sportive në nivel evropian, nëse zbulohet se kanë thyer rregullat me rastin Negreira.

Edhe pse federata spanjolle dhe La Liga nuk mund ta ndëshkojnë klubin katalunas në nivel sportiv, sepse kanë kaluar shumë vite nga pagesat për ish-zëvendëspresidentin e arbitrave, nuk ka një statut të tillë kufizimesh për sa i përket organit drejtues të futbollit evropian.

Dhjetë ditë më parë, UEFA njoftoi se po fillonte një hetim të plotë për rastin Negreira dhe po kërkonte shkelje të mundshme të kuadrit ligjor të UEFA-s nga klubi katalanas.

Tani, Ceferin ka ofruar mendimin e tij personal për situatën.

“Unë nuk mund të komentoj drejtpërdrejt për këtë për dy arsye”, deklaroi fillimisht ai në një intervistë me mediumin slloven – Ekipa.

“Së pari sepse kemi një komision disiplinor të pavarur, së dyti sepse nuk jam marrë me këtë çështje në detaje”.

“Megjithatë, mund të them një gjë, më kanë njoftuar se situata është jashtëzakonisht e rëndë. Për mendimin tim, është një nga rastet më të rënda që kam parë ndonjëherë në futboll”.

“Kur bëhet fjalë për autoritetet spanjolle të futbollit, çështja është e parashkruar dhe nuk mund të ketë sanksione sportive, por e di që procedurat janë duke vazhduar në nivelin e prokurorisë civile spanjolle”.

“Por, për sa i përket UEFA-s, asgjë nuk është e parashkruar”, ka shtuar më tej Ceferin.

Presidenti i UEFA-s e ka bërë të qartë, pra, se Barcelona mund të përballet me sanksione sportive nga UEFA nëse zbulohet se kanë kryer ndonjë shkelje. /Telegrafi/