Site icon Telegrafi

Presidenti Thaçi: Ta mbështesim filmin “Home Sweet Home” në rrugëtimin drejt OSCAR-it

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot (e hënë) ekipin e filmit “Home Sweet Home”, i cili do ta përfaqësojë Kosovën si propozim zyrtar në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”, në Akademinë e çmimeve “Oscar”.

Për realizimin e këtij filmi, presidenti Thaçi ka përgëzuar regjisorin Faton Bajraktari, producentin Trim Musliu, skenaristin Zymber Kelmendi dhe drejtorin e Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK), Arben Zharku.

“Kosova ka shumë histori dhe rrëfime që mund të përdorën për të prodhuar filma të mirë. Filma të tillë forcojnë identitetit kulturor, por edhe shtetëror të Kosovës”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Ai ka siguruar ekipin e filmit se do të bëjë çmos që të mbështes këtë film në rrugëtimin drejt ceremonisë së ndarjes së çmimeve më prestigjioze në kinematografinë botërore, “Oscars”.

Kreu i vendit është shprehur i sigurt se institucionet e Kosovës do ta mbështesin këtë film edhe me mjete financiare, për të siguruar depërtimin e filmit në botë.

Nga ana tjetër, regjisori Faton Bajraktari ka theksuar se filmi tashmë është shfaqur nëpër shumë festivale me renome ndërkombëtare.

Edhe drejtori i QKK-së, Arben Zharku, ka theksuar se për ta siguruar pjesëmarrjen e këtij filmi në “Oscars” nevojitet një mbështetje më e madhe nga institucionet e Kosovës.

“Home Sweet Home” do të nisë rrugëtimin drejt OSCAR-it në fillim të muajit nëntor, në Los Angeles të SHBA-së.

Exit mobile version