Site icon Telegrafi

Presidenti Thaçi në Rio: Moment historik për Kosovën

Pjesë e delegacionit të Kosovës në Lojërat Olimpike Verore ‘Rio 2016’ është edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e parë të vizitës së tij në Rio të Brazilit, ka marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit të Republikës së Kosovës, të organizuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, në prag të hapjes zyrtare të Lojërave Olimpike Verore ‘Rio 2016’.

“Ngritja e flamurit të Kosovës përkrah flamujve të tjerë botërorë përbën një moment historik për shtetin tonë”, ka vlerësuar presidenti Thaçi.

Gjatë ditës, i pari i vendit ka takuar edhe tetë sportistë kosovarë, që ditëve në vijim do të marrin pjesë në gara të ndryshme.

Lexo po ashtu Marria e organizatorëve, ‘Rio 2016’ fillon me incidente qesharake (Video)

Presidenti Thaçi u ka uruar sukses sportistëve nga Kosova, duke thënë se ata tashmë janë kampionë, meqë po përfaqësojnë për herë të parë flamurin dhe simbolet e shtetit të Kosovës në Lojërat Olimpike në Rio.

Ndërkaq, me ftesë të Presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, presidenti Thaçi ka marrë pjesë në darkën solemne, ku të pranishëm kanë qenë shumica e krerëve shtetërore të vendeve pjesëmarrëse në Olimpiadë.

Me këtë rast, presidenti Thaçi ka zhvilluar takime kurtuazie me presidentë të një numri të madh shtetet që tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por edhe të atyre që nuk e kanë marrë nj vendim të tillë.

Lexo po ashtu Kjo është sportistja e parë kosovare që do të garojë në Lojërat Olimpike

Gjithashtu, presidenti Thaçi ka takuar Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në vitet e fundit.

Në mbrëmje, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të marrë pjesë në ceremoninë solemne të hapjes së Lojërave Olimpike Verore “Rio 2016”, ku do të defilojnë edhe tetë sportistët nga Kosova. /Telegrafi/

Exit mobile version