Telegrafi

Presidenti Thaçi i bën edhe një ftesë Kurtit, për ta mandatuar për formimin e Qeverisë (Dokument)

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot për herë të dytë i ka bërë ftesë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, për të marrë pjesë në një takim konsultativ për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Një ftesë e dytë e presidentit Thaçi ka ardhur pas një ftese tjetër gjatë orëve të paradites.

Mirëpo, siç është bërë e ditur nga Lëvizja Vetëvendosje, kryetari Albin Kurti, nuk do të jetë në takimin e thirrur nga presidenti Hashim Thaçi, sepse ai nuk është në Prishtinë.

Lexo po ashtu Dështon takimi me presidentin Thaçi, Kurti nuk ndodhet në Prishtinë

“Pak pas orës 11:00, në selinë e LVV, sot erdhi letra e Presidentit të Kosovës për një takim po ashtu sot në ora 13:30, me Kryetarin e LVV, Albin Kurti. Kryetari Kurti e ka sot të pamundur ta takoj Presidentin, meqenëse ndodhet jashtë Prishtinës. Ai do ta njoftojë së shpejti Presidentin për ditët e orët e mundshme të takimit”, është thënë nga kjo parti.

Më poshtë ua sjellim të plotë ftesën e dytë të presidentit Thaçi për Albin Kurtin.

I nderuar z. Kurti,

Në rrjedhë të ftesës së parë (Ref.1763-27.12.2019), ju ftoj edhe një herë që të merrni pjesë në takimin konsultativ për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë.

Siç e kam cekur edhe në ftesën e parë, në pajtim me Nenin 84 (14) dhe Nenin 95.1. të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, do të ndërmarrë hapat e përcaktuar në Kushtetutë për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

pasi që zyrtarisht nuk kam pranuar asnjë arsyetim për mungesën tuaj në takimin e orës 13:30, ju ftoj sërish për takim sonte në orën 20:00, dt. 27 dhjetor 2019, në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/