Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka arritur në Sofje, në hotelin ku shteti bullgar ka akomoduar shumicën e liderëve të shteteve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor.
Thaçi është parë sonte duke zbritur afër hotelit Marinela, shumë afër qendrës ku nesër do të mbahet Samiti i Sofjes, i cili po vlerësohet si një prej samiteve më të rëndësishme në këto 15 vjetët e fundit.
Samiti i BE-së dhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor do të nisë punimet nesër dhe pjesë e tij janë pothuajse të gjithë liderët e 28 shteteve anëtare të BE-së dhe liderët e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Thaçi, i cili e kryeson delegacionin kosovar, në margjina të këtij samiti pritet të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë shtetërorë të vendeve të Bashkimit Evropian, kurse nesër pasdite do të marrë pjesë edhe në Forumin Ekonomik Botëror që organizohet në Sofje.
Në të kaluarën, në samite përafërsisht të kësaj natyre, Kosova ishte prezantuar nga shefat e UNMIK-ut.
Në Samitin e Zagrebit në vitin 2000, Kosova ishte përfaqësuar nga Bernard Kouchner, kurse në Samitin e Selanikut nga Michael Steiner.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë Samit po konsiderohet si historike.