Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj u ka bërë thirrje qytetarëve të Luginës së Preshevës që të marrin pjesë në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi pasi përfaqësimi politik theksoi se është i rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave.
Begaj në një postim në Facebook thotë se përmes pjesëmarrjes në zgjedhje dhe votimit të kandidatëve të Luginës mund të arrihet përfaqësimi politik.
“Shqiptarë të Luginës së Preshevës, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc!
Zgjedhjet e ditës së nesërme janë një moment shumë i rëndësishëm për përfaqësimin tuaj politik dhe mbrojtjen e të drejtave tuaja.
Vetëm përmes pjesëmarrjes masive dhe zgjedhjes së kandidatëve tuaj mund ta arrini këtë.
Duke shpresuar në një proces sa më demokratik, ju inkurajoj të merrni pjesë në votime e të zgjidhni kandidatët tuaj të preferuar që do t’ju përfaqësojnë në Parlamentin e ardhshëm”, shkruan presidenti. /Telegrafi/