Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka takuar liderët e partive opozitare në Kosovë, por jo edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun.
Presidenti i Shqipërisë nuk është takuar me Abdixhikut pasi nuk janë pajtuar për vendin ku duhet mbajtur takimi.
LDK në një prononcim për Telegrafin ka thënë se shprehë keqardhje për mosrealizimin e takimit zyrtar me Presidentin e ri të Shqipërisë.
“Për dallim nga krerët institucional paraprak të Shqipërisë, presidentët e shkuar, kryeministrin e tanishëm, e të tjerë kryeministra paraprak, presidenti Begaj ka refuzuar të takojë LDK-në në selinë qendrore të saj.
Ndonëse nuk e kuptojmë refuzimin e tillë dhe shprehim njëkohësisht habinë për një qasje të pazakontë, konsiderojmë si mundësi të humbur takimin me Presidentin Begaj; të cilit i urojmë suksese në përfaqësimin më dinjitoz të Republikës së Shqipërisë.
LDK ka selinë e vet dhe ajo mbetet e hapur për çdo zyrtar të shtetit shqiptar – siç ka qenë përherë”, thonë nga LDK-ja.
Ndryshe, presidenti i Shqipërisë gjatë ditës ka takuar kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin, atë të AAK-së, Ramush Haradinaj, ndërsa gjatë ditës do të takojë edhe përfaqësuesit e minoriteteve. /Telegrafi/