Presidenti i ri i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, 64-vjeç, është kritikuar ashpër pasi që në opinion është publikuar një video ku shihet duke e puthur në faqe gazetaren që i bën një pyetje.
Ngjarja ka ndodhur më 20 shtator, gjatë turneut nacional të organizuar në prag të inaugurimit të tij si president i ri i Meksikës, transmeton Telegrafi.
Në video shihet se si gazetarja e të përditshmes “El Mexicano”, Lorena Garcia, i bën një pyetje për zgjedhjet që do të mbahen gjatë vitit të ardhshëm, ku Obrador ka filluar të qesh dhe në një moment e ka puthur në faqe gazetaren, duke mos i dhënë kurrfarë përgjigje.
Por, ajo më vonë ka deklaruar se veprimin e tij e konsideron si të “papërshtatshëm”. Kjo nuk është hera e parë që Obrador kritikohet për veprimet e tij, muaj më parë ai ishte drejtuar dy gazetareve me termin “të dashura”, kur ato kishin tentuar ta pyesin diçka nga dritarja e hapur e veturës së tij.
Obrador është zgjedhur president i ri i Meksikës më 1 korrik, kurse më 1 dhjetor pritet edhe zyrtarisht ta marrë detyrën. /Telegrafi/