Telegrafi

Presidenti i Real Madridit i dërgon një letër mbështetëse Gavit pas lëndimit të rëndë që pësoi me Spanjën

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka lënë anash tensionin e rivalitetit të El Clasicos dhe i ka dërguar Gavit një letër inkurajuese pasi mesfushori spanjoll pësoi një lëndim serioz në gju.

Gavi pësoi një lëndim serioz për Spanjën vikendin e kaluar, duke këputur ligamentin ACL në pjesën e parë të sfidës ndaj Gjeorgjisë në kuadër të kualifikimeve për ‘Euro 2024’.

Mesfushori u pa shumë i mërzitur pas incidentit dhe sipas raportimeve mund të mbetet jashtë fushave për shtatë deri në nëntë muaj. Perez e ka shfrytëzuar rastin për t’i dërguar Gavit një letër mbështetëse sipas mediumit spanjoll Cadena Cope.

Lexo po ashtu Perez thuhet se ka vendosur për trajnerin e ri: Strategu i skuadrës nga Liga Premier pritet ta zëvendësojë Ancelottin

Por, Perez nuk ishte personi i vetëm nga Real Madridi që shfaqi mbështetje për Gavin. Lojtarët si Dani Carvajal dhe Joselu, përmes rrjeteve sociale i dërguan mesazhe mbështetëse mesfushorit të Barcelonës. Gavi pritet t’i nënshtrohet operimit më 28 nëntor sipas mediumit katalanas Sport.

Barcelona e ka konfirmuar lëndimin e Gavit përmes një deklarate zyrtare: “Testi i kryer të hënën në mëngjes te lojtari i ekipit të parë Gavi ka treguar se ai ka një këputje të plotë të ligamentit të kryqëzuar të përparmë në gjurin e tij të djathtë dhe një lëndim në menisk. Lojtari do të ketë një operacion në ditët në vijim, pas së cilës do të publikohet një përditësim i ri mjekësor”.

Lexo po ashtu Real Madridi ruan primatin në listën e klubeve më të vlefshme në botë - por ku qëndrojnë gjigantët e tjerë

Pas operimit Gavi do t’i nënshtrohet një procesi të gjatë të rehabilitimit dhe pritet t’i kthehet fushave në sezonin 2024/2025./Telegrafi/