Presidenti polak Andrzej Duda u ka bërë thirrje shteteve të tjera të NATO-s që të rrisin prodhimin e municioneve për të penguar sulmet e mundshme nga Rusia.
“E gjithë Evropa duhet të bashkojë forcat me Shtetet e Bashkuara për të prodhuar më shumë [municion], veçanërisht predha artilerie. Kjo është e nevojshme për të garantuar sigurinë tonë”, ka thënë Duda në një intervistë në televizionin lituanez të enjten në mbrëmje, përcjell Telegrafi.
Nëse NATO do të donte vërtet të pengonte sulmet e mundshme, do të duhej të prodhonte të njëjtën sasi si Rusia, ka theksuar Duda.
Duda ishte në Lituani për një samit të shteteve të të ashtuquajturës Iniciativa e Tre Deteve në Vilnius.
Grupi bashkon 13 shtete anëtare të BE-së të vendosura përgjatë boshtit veri-jug midis Detit Baltik, Adriatik dhe Detit të Zi.
Presidenti polak kërkoi gjithashtu një “politikë të ashpër për të rritur potencialin e mbrojtjes në Perëndim”.
Kjo është “detyra më e rëndësishme” e shteteve të NATO-s sot, duke përfshirë edhe vendet e Evropës Qendrore.
Ai vlerëson se kjo dhe mbështetja e Ukrainës do t’i mundësonte Perëndimit të mbrohej kundër imperializmit rus.
Ukraina është përballur me një pushtim të plotë rus për më shumë se dy vjet dhe është kryesisht e varur nga mbështetja perëndimore për pajisjet e saj ushtarake. /Telegrafi/