Site icon Telegrafi

Presidenti i përjetshëm Vladimir Putin

Pjesa klasike e Alexander Pushkinit, “Boris Godunov”, fillon me skenën në të cilën banorët e Moskës, fisnikëria dhe bujqit, mblidhen përpara një manastiri. Protagonisti i fshehur në manastir, emrin e të cilit mban vepra, është rastësisht kunati i carit të vdekur Fjodor. Ky i fundit nuk ka lënë asnjë trashëgimtar mashkull. Godunov hiqet sikur nuk e do kurorën që i ofrohet atij prej këshillit të Bojarëve, por më pas “pranon” shpejt të kuorrëzohet prej lutjeve të masës. Kjo pjesë, që është luajtur në shekullin XVIII-të, u publikua fillimisht më 1831 dhe më vonë shërbeu si bazë për operën me famë botërore të Modest Mussorgskit. Kjo konsiderohet si një ndër udhëzuesit më të mirë praktik për politikën ruse (në përgjithësi autoritare).

E pra, Vladimir Putin të martën luajti Godunovin: Ai bëri që deputetët e Dumës ta “bindin”, se do të ishte mirë për stabilitetin e vendit, që numërimi i mandateve të presidentit të rifillojë nga e para (deri në vitin 2024 ai do të jetë në mandatin e tij të katërt.) Kjo do të thotë që ai mund të rizgjidhet edhe për dy mandate të tjera, e pastaj do të jetë 84 vjeç. Këtë propozim e formuloi kozmonautja e parë grua në botë, Valentina Tereshkova – një person në përgjithësi i respektuar prej rusëve. Në aspektin e teknikës së marrëdhënieve me publikun, ky ishte një hap i mençur!

Vetëm një orë më pas, Putini (agjenda e të cilit mormalisht planifikohet me muaj në avancë) u shfaq personalisht në Parlament duke celebruar këtë përulësi. Ai tha se do ta pranojë këtë propozim vetëm me kushtin që Gjykata Kushtetuese ta shpallë këtë si hap të pastër ligjërisht. Dhe, nëse zgjedhësit në referendumin joobligativ të planifikuar në prill do të pranojnë ndryshimet kushtetuese të iniciuara prej tij, pra prej Putinit. Meqenëse kjo reformë parashikon edhe më shumë mbështetje sociale për rusët e varfër, nuk ka aspak dyshim që qytetarët do të votojnë pro ndryshimeve. E, nëse jo, atëherë autoritetet do të ofrojnë rezultatin e “duhur” – përmes manipulimeve të zakonshme të listave zgjedhore si dhe me plotësimin e fletëve të votimit.

Do të kishte qenë më e vështirë që ky plan t’i kalonte Gjykatës Kushtetuese. Më 1998 p.sh. gjykata nuk e lejoi Boris Jelcinin që të anashkalohej numërimi i mandateve të tij, ndonëse qysh në fillim të mandatit të parë u zgjodh president i një subjekti të dështuar ndërkohë – një republike brenda Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) dhe jo i një shteti të pavarur. Gjithashtu, Kushtetua e re ruse ishte miratuar më 1993. Por, gjyqtarët e sotëm të Gjykatës Kushtetuese njihen që u shkojnë pas dëshirave të Putinit. Përveç kësaj, legjislacioni rus nuk argumenton me raste precedente. Argumenti se “ai gjykim ishte atëherë, por rasti në fjalë është tani” ua lehtëson punën gjyqtarëve.

Në mënyrë demonstrative, Putini i refuzoi kërkesat e një deputeti për shfuqizimin e të gjitha kufizimeve lidhur me mandatin e presidentit. Projektligji për Kushtetutën e reformuar e kufizon mandatin presidencial në dy herë nga gjashtë vjet. Kjo e bën Putinin unikal për të gjitha kohërat dhe i jep atij një lloj rrezatimi si “babai i kombit”. Teorikisht ky është madje një përparim kundrejt legjislacionit aktual, që i lejon një presidenti të kryejë dy mandate e në rast nevoje edhe disa mandate njëri pas tjetrit. Putini e shfrytëzoi këtë boshllëk ligjor teksa më 2008 pas dy mandateve me kryeministrin Dmitri Medvedev këmbeu pozicionet.

Duke pasur parasysh moshën (në tetor ai mbush 68 vjeç), Putini të martën u kujdes që de facto ai mund të bëhet një president i përjetshëm – nëse e dëshiron këtë. Kjo i jep avantazhe afatshkurtra presidentit, por në aspektin afatgjatë i krijon telashe. Putin e ka etabluar sërish Rusinë si një qendër e padiskutueshme e universit politik. Tani që kushdo në Kremlin dhe rreth tij do të hamendësojë nëse dhe kur mund të heqë dorë ai nga posti presidencial, servilizmi në radhët e anëtarëve të së ashtuquajturës elitë politike do të arrijë një pikë të re kulmore. Putin pas shumë javësh i dha fund pasigurisë, që shkaktoi propozimi i tij më 15 janar për një ndryshim kushtetues. Ai do të ketë më shumë pushtet, pa qenë përgjegjës për gjendje ekonomike të Rusisë. Ekonomia tani do të përballet me goditje të mëtejshme, pasi Kremlini javën e kaluar i hapi rrugën konfrontimit me OPEC-un.

Në aspektin afatgjatë, premisat nuk janë fort të mira. Elektorati tradicional i Putinit nga brezi i lindur në kohën e Bashkimit Sovjetik po tkurret, stabiliteti nuk dallon më prej stagnimit. Që reforma kushtetuese shkel jo vetëm frymën, por edhe paragrafët ligjor, kjo është e qartë për njerëzit në Moskë, Shën Peterburg dhe në një sërë qytetesh të tjera ku bëhet politikë ruse. Disa do të emigrojnë e kësisoj potenciali ekonomik dhe intelektual i Rusisë do të dobësohet edhe më tej.

Por, ata që mbeten do të bëhen gjithnjë e më të pasigurt. Përveç kësaj pjesa më e re e shtresës drejtuese të Putinit nuk do ta konsiderojë atraktive perspektivën e qëndrimit edhe për 15 vjet të tjera nën udhëheqësin në plakje e po ashtu edhe rrethin e brendshëm të tij. Një luftë për pushtet sipas modelit të Stalinit ende nuk duket të ketë, por ajo nuk mund të përjashtohet me kalimin e kohës. Nisur nga fakti që “sabiliteti” kthehet në sinonim për “Putinin”, presidenti merr përsipër një barrë që në historinë mijëra vjeçare të Rusisë shpesh herë ka rezultuar si e vështirë për mbajtësin e saj. /DW/

Exit mobile version