Në kuadër të vizitës në Turqi, presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov, sot në Stamboll mbajti fjalim në Forumin e 17 global të liderëve, që e organizon Universiteti prestigjioz Bahçeshehir. Siç njoftojnë nga kabineti i presidentit, në hapjen solemne të forumit, Ivanovi ka folur për sfidat e udhëheqjes në shekullin 21, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Dyshimi në autoritetet, hetimi pas së vërtetës dhe dëshira për sukses, tregojnë për arsyet bazë për krizën e udhëheqjes dhe ky është vakum moral në udhëheqje”, ka theksuar presidenti.
Në këtë drejtim, përkujtoi se është e nevojshme udhëheqje e vendosur, duke përmendur shembullin e Maqedonisë në përballjen me krizën e migrantëve.
Nga kabineti i presidentit, informojnë se në hapjen solemne të forumit drejtoria e Universitetit shpalli vendimin të ndahen bursa për studime master dhe të doktoraturës që do ta mbajnë emrin e presidentit Gjorge Ivanov. Bursat do t’ju ndahen kandidatëve të cilët do të përpunojnë tema lidhur me Republikën e Maqedonisë.
Në Forumin global të liderëve, i cili organizohet çdo vit, marrin pjesë ish-shefat dhe ata aktual të shteteve dhe qeverive, ministra, ambasadorë, profesorë të njohur nga Turqia dhe bota./Telegrafi/