Presidenti Hashim Thaçi e ka pritur në një takim këngëtaren Dua Lipa, të cilës ia dorëzoi edhe Medaljen Presidenciale të Meritave.
Thaçi ka thënë se suksesi i Duas është suksesi i të gjithëve dhe për çka krenohemi të gjithë.
“Suksesi i Duas është suksesi i të gjithë dhe së bashku duhet të krenohemi. Për të sotmen dhe të ardhmen besoj se ky është vetëm fillimi. Ky ishte viti i Kosovës, i Duas, i Majlindës, i Ritës dhe gjithë atyre futbollistëve kosovarë nëpër botë”, tha ndër të tjerash Thaçi, transmeton Telegrafi.
Këngëtarja kosovare është shprehur krenare që është shqiptare.
“Po ndihna shumë e lumtur dhe jam shumë krenare që jam shqiptare. Jam shumë e lumtur që mund ta prezantoj vendin tim. Është një ndjenje e pa përshkruar”, ka thënë këngëtarja.
Ndryshe, këngëtarja ka mbajtur mbrëmë një koncert në parkun e Gërmisë së Prishtinës, ku sipas Duas, kanë qenë të pranishëm rreth 18 mijë vetë. /Telegrafi/