Site icon Telegrafi

Presidenti i Gjermanisë pret në takim lamtumirës ambasadorin e Kosovës

Përmes një komunikate për media, Ambasada e Kosovës në Gjermani, ka theksuar se ambasadori i Kosovës në Berlin, Skënder Xhakaliu, e ka takuar presidentin gjerman, Frank – Walter Steinmeier, me rastin e pritjes tradicionale që e bën i pari i Gjermanisë për korin diplomatik botëror.

Në këtë njoftim thuhet se Xhakaliu i cili ushtroi detyrën e Ambasadorit të Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë, nga qershori i vitit 2012 deri në janar të vitit 2018, ka falënderuar Presidentin Federal për angazhimin personal dhe institucional të Presidentit Steinmeier dhe Qeverisë së Gjermanisë, duke shprehur shpresën që ndihma dhe angazhimi gjerman do të vijojnë edhe në të ardhmen për Kosovën, qytetarët dhe institucionet e saj.

“Steinmeier ka falënderuar ambasadorin Xhakaliu për punën e palodhshme në komunikimin dhe bashkëpunimin e institucioneve të Gjermanisë me të Kosovës, duke shprehur shpresën që Xhakaliu edhe në të ardhmen do të jetë në dispozicionin e dy vendeve për forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe popujve. Ambasadorit të deritashëm të Republikës së Kosovës në Berlin, Skënder Xhakaliut, Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë i ka organizuar drekë lamtumirëse si dhe është pritur edhe nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe nga Zyra e Kancelares Angela Merkel dhe nga Deputetë të Bundestagut nga fraksionet kryesore politike të CDU/CSU, SPD, Të Gjelbërtit dhe FDP”, përfundon komunikata. /Telegrafi/

 

Exit mobile version