Telegrafi

Presidenti i FVK-së viziton kampin stërvitor të Kosovës U-18 para Kampionatit Evropian

Ekipet kosovare U-18, meshkuj dhe femra, do ta përfaqësojnë Kosovën në Kampionatin Evropian U-18, në Beach Volley, i cili do të zhvillohet në Greqi mes datave 1-4 shtator.

Presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci, së fundmi vizitoi të dy ekipet në kampin stërvitor, ku përcolli nga afër mbarëvajtjen e përgatitjeve para këtij kompeticioni tejet të rëndësishëm të volejbollit në rërë.

Në konkurrencën e femrave, Kosovën do ta përfaqësojnë dyshja Megi Bislimi/Rrezelinë Thaqi, e udhëhequr nga trajneri Lorik Ilazi.

Në anën tjetër, te meshkujt, ekipi ‘Dardan’ përbëhet nga çifti kampion i Kosovës për vitin 2022, Erit Bajrami/Gani Rexhepi, i drejtuar nga trajneri Fatlum Hajrizi.

Të dy ekipet po stërviten intensivisht para dueleve mjaft interesante që i presin në Athinë të Greqisë.

Presidenti Gjinovci u uroi të dy ekipeve suksese dhe përfaqësim sa më dinjitoz.