Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka folur në konferencë për media para zyrave të FFK-së, ku e ka konsideruar si nder të madh për të vizitën në Kosovë.
Ai i ka lavdëruar talentet e mëdha që i ka futbolli ynë si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
“Për mua është kënaqësi dhe nder të jem në Kosovë, dhe të jem me presidentin e FFK-së. Është një shtet futbollistik. Është një koincidencë se kur unë jam bërë president i FIFA-s, Kosova u anëtarësua në të. U takuam me presidenten, kryeministrin, ministrin dhe kryetarin e Prishtinës i cili më dha çelësin e qytetit. U takuam edhe me klubet”.
“Dua t’iu falënderoj të gjithë për atë që po bëni për të promovuar sportin. Kosova është një vend i veçantë, i ri. Është një vend i bekuar kur shikoni talentët që ka ky vend, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë vendit. Talent të jashtëzakonshëm”, ka thënë Infantino.
Kreu i FIFA-s është shprehur i gatshëm për bashkëpunim për ndërtimin e stadiumit nacional, për të cilin thotë se do të ishte simbol i vendit.
“Diskutuam me udhëheqësit se si ta dërgojmë futbollin në një nivel tjetër. Biseduam për futbollin në shkollë, futbollin në akademi, për stadiumin nacional të këtij vendi, i cili do të ishte simbol i këtij shteti të ri. Jemi duke shikuar si të bashkëpunojmë për këtë. Dua të falënderoj (Agim) Ademin që po bën një punë të jashtëzakonshme”.
“Dua ta kujtoj një person që ka qenë i afërt me mua, Fadil Vokrrin, të cilin e kam njohur para se të bëhem president i FIFA-s. Gjëja e parë që kam bërë kur kam ardhur këtu ka qenë të shkoj te stadiumi që mban emrin e tij dhe të vendosja lule para shtatores së tij”.
“Për mua ishte një nder i madh që isha për vizitë këtu dhe besoj se futbolli si te meshkujt ashtu edhe te femrat do të ketë sukses me këtë përkrahje që ka dhe do ta ketë”, ka thënë Infantino për vizitën e tij në Kosovë. /Telegrafi/