Site icon Telegrafi

Presidenti i EOC-ut, Capralos u prit nga kryeministri Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Presidentin e Komitetit Olimpik të Evropës, Spyros Capralos dhe Sekretarin e Përgjithshëm të këtij komiteti, Raffaele Pagnozzi.

Presidenti Capralos përgëzoi Kryeministrin Kurti për arritjet e Republikës së Kosovës në sport. Ai tha se kjo vizitë e tij e parë në Kosovë vjen pas suksesit të arritur në fitoren e kandidaturës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

Kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për organizimin e këtyre lojërave, që janë ngjarja më e madhe sportive e mbajtur ndonjëherë në Republikën tonë. Ai shprehu mirënjohjen e përzemërt për të gjithë që kanë mbështetur vizionin e Kosovës, krahas punës së palodhur të Qeverisë dhe Komitetit Olimpik të Kosovës.

Duke folur për përgatitjet e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, Kryeministri Kurti falënderoi gjithashtu edhe presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, i cili i dha theks të veçantë rëndësisë së bashkëpunimit ndërmjet dy komiteteve shtetërore drejt frymës së unitetit që kapërcen kufijtë përmes sportit.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës falënderoi Komitetin Olimpik të Evropës për mbështetjen e dhënë ndaj KOK-ut dhe për përfshirjen e përfaqësuesve të KOK në komisione të ndryshme punuese në kuadër të KOE-së, duke e konsideruar Kosovën si partnere e përhershme e strukturës sportive ndërkombëtare.

U vlerësua lart organizimi i Kampionatit Evropian të Xhudos, “European Championships Open”. U tha se ky organizim i ngjarjes më të madhe të sportit të xhudos organizuar ndonjëherë në Kosovë, dëshmon nivelin e seriozitetit dhe profesionalizimit të Kosovës si nikoqire e organizimeve të këtij niveli. U përgëzua për organizimin Federata e Xhudos së Kosovës mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federata Evropiane e Xhudos.

Prezentë në këtë takim ishin edhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, Sekretari i Përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti dhe Sekretari i Përgjithshëm i KOKSH, Gerti Shima.

Exit mobile version