Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar KB Sigal Prishtinën dhe tifozërinë e klubit, Plisat, për titullin e tretë me radhë në kuadër të Superligës së Basketbollit të Kosovës.
“Urime liderit të Ballkanit, KB Sigal Prishtina dhe Plisave titulli i tretë me radhë i kampionit të Kosovës në basketboll”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Tutje, ai ka përgëzuar edhe KB Pejën, por edhe tifozërinë Shqiponjat për të cilët tha se kanë ofruar spektakël në këtë finale.
“I përgëzoj edhe KB Pejën dhe Shqiponjat për lojën dhe spektaklin e ofruar në këtë finale madhështore në “Karagaç””, ka shkruar Thaçi.
Prishtina fitoi në palestrën sportive “Karagaç” në Pejë, në ndeshjen e pestë finale të kampionatit të Kosovës në Basketboll, me rezultat 65:70. Vlen të theksohet se në këtë ndeshje, klubi kryeqytetas ishte pothuajse vazhdimisht në epërsi që nga fillimi i ndeshjes.
Veseli uron KB Prishtinën
Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ka uruar KB Prishtinën për titullin e fituar në Pejë.
Njëkohësisht Veseli ka uruar dhe KB Pejën për lojën e bukur të treguar në këtë finale, transmeton Koha.net.
“Urime Sigal Prishtina për titullin e kampionit në basketboll, në sezonin 2015/2016. Përgëzime për ekipin e Pejës, për lojën e bukur, në finalen e kësaj mbrëmjeje”, ka shkruar Veseli në Facebook.