Presidenti i Bayern Munichut, Herbert Hainer ka adresuar një sërë çështjesh në klubin e tyre, e sidomos për situatën e disa prej yjeve të ekipit që po lidhen me një largim këtë verë.
Robert Lewandowski është lidhur shumë me një lëvizje verore në Chelsea javët e fundit, me trajnerin Thomas Tuchel që thuhet se është i etur për të sjellë një qendërsulmues të ri përpara sezonit 2021-22.
Blutë kanë kërkuar që të mbahen të informuar për situatën aktuale të 32-vjeçarit në Allianz Arena, por Hainer nuk ka frikë të humbasë një aset të çmuar para se kontrata e tij të skadojë në vitin 2023.
“Robert Lewandowski do të luajë për Bayernin deri në qershor 2023. Ai ka një kontratë dhe po qëndron këtu. Ne nuk jemi duke kërkuar një sulmues të ri”, ka thënë Hainer për Spox.
Presidenti i Bayern gjithashtu i është përgjigjur lidhjeve për thashethemet e Leon Goretzka dhe kalimit të tij te Manchester Unitedi, teksa ka disa fjalë edhe për yllin e ekipit, Joshua Kimmich.
“Ne jemi në bisedime të mira dhe konstruktive me Goretzka për të zgjatur kontratën, e njëjta gjë për Kimmich”.
“Tani mund të ketë bisedime të mëtejshme. Shpresojmë se mund të gjejmë një zgjidhje”, përfundoi presidenti i Bayernit. /Telegrafi/