Telegrafi

Presidenti i Barcelonës, Laporta: Ne bëmë ofertë për Lewandowskin, presim përgjigjen e Bayernit

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta ka konfirmuar se janë në pritje të përgjigjes nga Bayern Munichu, pasi ekipi i tij tashmë ka bërë ofertë për sulmuesin Robert Lewandowski.

Lewandowski është emri më i lakuar në javët e fundit, pasi ka deklaruar publikisht së dëshiron te largohet nga Bayerni dhe të transferohet te Barcelona.

Sulmuesi polak thuhet se ka tashmë marrëveshje personale me klubin nga Camp Nou, por klubet ende nuk kanë arritur një akord.

Presidenti i Barcelonës, Laporta ka konfirmuar ofertën për polakun, ndërsa ka shtuar se po presin përgjigje nga Bavarezët.

“Ne i bëmë një ofertë Bayernit për të nënshkruar me Lewandowskin dhe po presim përgjigjen e tyre, shpresoj që përgjigja e tyre të jetë pozitive”, ka thënë fillimisht Laporta.

“Dua të falënderoj Lewandowskin këtu në publik për atë që po bën për t’u bashkuar me ne”, përfundoi presidenti i klubit katalunas..

Ndryshe, Barcelona tashmë ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e mesfushorit Franck Kessie dhe mbrojtësit Andreas Christensen, të cilët kanë ardhur si lojtarë të lirë. /Telegrafi/