Telegrafi

Presidenti austriak i zhgënjyer me vendimin e qeverisë: Nuk është zgjidhje bllokimi i hyrjes në Shengen i Bullgarisë dhe Rumanisë

Pasi zyrtarët austriakë bllokuan të enjten hyrjen e Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen, po vazhdojnë reagimet dhe mes kritikave ishte edhe një disi e papritur, ajo e presidentit austriak.

Duke komentuar vendimin për të lejuar hyrjen e Kroacisë në Shengen, por jo edhe Rumanisë dhe Bullgarisë, presidenti austriak, Alexander Van der Bellen tha se kjo situatë nuk i bën dobi askujt, më së paku Bashkimit Evropian, raporton evropaelire.

“Më vjen shumë keq për vendimin e qeverisë austriake për të bllokuar pranimin e Rumanisë dhe Bullgarisë në Shengen. Është e vërtetë që Austria është në një situatë të vështirë për shkak të një numri shumë të madh azilkërkuesish, por bllokimi i Shengenit nuk kontribuon në zgjidhje”, tha presidenti austriak.

Kujtojmë se pasi Austria refuzoi hyrjen e Rumanisë dhe Bullgarisë në Shengen, pasuan një sërë kritikash nga këto vende, para se gjithash në drejtim të kancelarit austriak, Karl Nehammer.

“Ne kemi 60 mijë infermierë që kujdesen për prindërit, gjyshërit tuaj. Ne i lëmë familjet, fëmijët dhe vijmë tek ju çdo muaj. Është e papranueshme që ju të mos miratoni pranimin e Rumanisë në Shengen”, thanë rumunët.

Reagime të ngjashme dërguan edhe politikanët bullgarë të cilët thanë se një vendim i tillë është thjesht politik. /Telegrafi/