Ndeshja e sivjetme për Superkupën e UEFA-s, është një derbi madrilen, ndërsa presidenti i Atletico Madridit, Enrique Cerezo, do të dëshironte që skuadra e tij ta mposhtte Real Madridin dhe ta fitonte trofeun.
Dy skuadrat nga kryeqyteti spanjoll do të ndeshen sonte (e mërkurë) në stadiumin A. Le Coq Arena në Tallinn të Estonisë.
Kreu i Los Rojablancos ka thënë se gjithmonë e dëshiron një fitore në derbi, megjithëse kjo ndeshje, sipas tij, konsiderohet si një parapërgatitje për sezonin e ri.
“Gjithmonë është një ndjenjë e mirë, megjithëse duhet ta kemi parasysh se kjo është një ndeshje në fillim të sezonit dhe ka shumë lojtarë që nuk kanë mundur të marrin pjesë në të gjitha seancat stërvitore”.
“Edhe Real Madridi ka pasur lojtarë në Kampionatin Botëror duke përfshirë një, i cili ndoshta nuk mund të luajë”.
“Edhe ne kemi pasur lojtarë në atë ndeshje, të cilët janë kthyer këtë javë”.
“Situata është e njëjtë për të dyja skuadrat. Them se duhet të përpiqemi ta fitojmë, duke pasur në mendje kujdesin që duhet ta bëjmë për këto ndeshje parasezonale”.
“Duhet të kemi vetëbesim duke e ditur se mund ta mposhtim secilën skuadër”, u ka thënë Cerezo gazetarëve në Tallinn. /Telegrafi/