Deri në këtë moment kandidaturë në Komisionin Shtetëror Zgjedhor nuk ka dorëzuar asnjë nga kandidatët të cilët janë futur në garë për president të shtetit. Nënkryetarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu thotë se në KSHZ kandidatët dorëzojnë njoftim për mbledhjen e nënshkrimeve.
“Fushata zgjedhore fillon 30 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, që i bie më një prill. Mbledhja e nënshkrimeve ka filluar më 23 shkurt, përfundon më 9 mars. Ndërsa dorëzimi i kandidaturave përfundon më 21 mars. Zyrtarisht deri tek Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk ka arritur asnjë njoftim nga ana e zotit Amdi Bajram, për tërheqjen e mbledhjes së nënshkrimeve”,deklaroi Ditmire Shehu, nënkryetare e Komisionit Shtetror të Zgjedhjeve.
Sipas informacioneve, deri më tani në KSHZ kanë arritur shtatë kandidatura, Gordana Siljanoska, Blerim Reka, Amdi Bajram, Dimçe Petrovski, Filip Petrovski, Josif Mishevski dhe Gospodin Popovski. Ndërsa kandidati i koalicionit qeveritar Stevo Pendarovski, ende nuk e ka dorëzuar kandidaturën.
Sipas KSHZ-së deri në këto momente në bazë të të dhënave që u kanë arritur atyre nga zyrat e njësive rajonale, Gordana Siljanoska nënshkrimet i ka mbledhur dhe ka tërhequr listën për mbledhje të nënshkrimeve. Ajo ka mbledhur 15.169 nënshkrime. Kandidati, Amdi Bajram, sipas KSHZ-së ka tubuar, 1.124 nënshkrime, Dimçe Petrevski 373 nënshkrime, Filip Petrovski 1.150 nënshkrime, Josif Mishevski, 8 nënshkrime, Gospodin Popovski 11 nënshkrime dhe Blerim Reka 6.514 nënshkrime.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor, Enti Shtetëror për Revizion dhe Komisioni i Antikorrupsionit sot nënshkruan një Memorandum për bashkëpunim në prag të zgjedhjeve presidenciale./Tv21/