Çakorri që tash thuhet se kurrë nuk ka qenë pjesë e Kosovës dhe as nuk do të mbetet me demarkacionin aktual me Malin e Zi, në vitin 2011, ishte njohur si pjesë e territorit të Kosovës.
Madje, gjatë një takimi më mes ministrit të Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane të Malit të Zi, Milan Roqen dhe ish-presidentes Atifete Jahjaga, kjo e fundit kishte thënë se institucionet e Kosovës i japin përkrahje të plotë nismës për përkufizimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe nismës që të hapet pika kufitare në Çakorr.
Kështu thuhej në atë kohë në një komunikatë të lëshuar për media, e cila është edhe në uebin e Presidencës së Kosovës.
http://www.president-ksgov.net…
Kurse, kryetari i komisionit qeveritar për demarkacionin me Malin e Zi, Murat Meha në debatin e 3 gushtit të këtij viti për argumentet dhe kundërargumentet, ka thënë se Çakorri ka qenë dhe mbetet jashtë territorit të Kosovës.
“Të gjitha këto argumente konfirmojnë se Çakorri kanë qenë dhe janë dhe ashtu kanë mbet jashtë territorit të Kosovës, nuk kanë qenë asnjëherë të regjistruara si prona në territorin dhe as nuk janë menaxhuar asnjëherë në territorin e Kosovës. Kjo është dokumentacioni që flet se edhe ju mund ta vërtetoni sepse ky dokumentacion është mbi të cilën krahina e Kosovës së atëhershme dhe Republika e Kosovës së tashme, është territor i cili i takon deri në Haxhaj që kanë dhe përkufizimin në harta që është paraqitur. Nuk ka pronë private as shoqërore që deri sot e ka dokumentuar dikush dhe ka thënë se prona apo territori im që ishte brenda vijës kufitare të Kosovës ka mbetur tani e tutje jashtë territorit të Kosovës”, tha ai.
Ndryshe, opozita, rugovasit dhe deçanasit, si dhe përfaqësues të disa fshatrave të komunës së Pejës, së bashku edhe me qytetarët e Podgurit apo të Anadrinit, në vazhdimësi kanë kundërshtuar marrëveshjen e arritur nga Komisioni shtetëror dhe nënshkrimin nga ministri i jashtëm i atëhershëm Hashim Thaçi dhe Skender Hyseni.
Ata kanë thënë se vija kufitare me Malin e Zi për ta do të mbetet përgjithmonë Çakorri, Moknat Smilevica, Hajla, Shtedimi dhe Kulla e vjetër në Zhleb. /kp/