Telegrafi

Presidenca: Ekipi menaxhues prezantoi një draft-statut të ngjashëm me atë të Vojvodinës

Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ekipi menaxhues në takimin e së martës në Bruksel ka prezantuar një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është shumë i ngjashëm me statutin e Vojvodinës.

Në llogarinë e tij në Twitter, Vela ka publikuar edhe pjesë nga draft-statuti i propozuar nga ekipi menaxhues dhe pjesë të statutit të Vojvodinës, duke e bërë krahasimin.

Lexo po ashtu Lirohet nga detyra Ekipi Menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit

Ai është shprehur se një draft i tillë është i papranueshëm për institucionet e Kosovës, dhe si i tillë nuk do të kalojë.

“Synimi i tyre duket se është rikonstituimi i autoritetit autonom të Serbisë në Kosovë, njëlloj si Vojvodina, me synim të anulimit të institucioneve të Kosovës”, ka shkruar tutje Vela.

Ndryshe, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka bërë ditur të mërkurën se i ka liruar nga detyra anëtarët e ekipit menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe./Telegrafi/