Telegrafi

Premtoi se do t’i mbillte 1 milion fidanë brenda vitit, Osmani përmbushi gati 85 për qind të premtimit

Foto: Arkiv

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati premtuar se brenda një viti do t’i mbjell 1 milion drunj në tërë vendin.

Para një viti, në Ditën Botërore të Mjedisit, presidentja Osmani bashkë me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe atë të Bujqësisë, Faton Pecin, patën premtuar se për një vit do të mbjellin 1 milion drunj.

Sipas një njoftimi nga Zyra e Presidentes, Osmani duket se e ka përmbushur afro 85 për qind të premtimit.

Në njoftim thuhet se 848 mijë e 106 mijë fidanë janë mbjellur për tetë muaj.

“365 ditë nga zotimi për mbjelljen e 1 milion  dhe 8 muaj nga fillimi i mbjelljes së fidanëve të para. Kur kanë mbetur edhe 4 muaj deri në përmbushjen e një viti të plotë nga fillimi i mbjelljeve, nëpër komunat e Kosovës janë mbjellë tashmë 848,106 fidanë të reja”.

“Në këta muaj i kemi bashkuar forcat me FAO-n, EULEX-in, Lëvizjen për mbrojtjen dhe rigjenerimin e pyjeve të Kosovës #MosEMerrMalin, si dhe me vullnetarë të shumtë. Në muajt në vijim, do të vazhdojë bashkëpunimi me biznese, komuna dhe mërgatën”.

“Puna dhe angazhimi për ripyllëzim e gjelbërim vetëm sa ka filluar. Ditë më të gjelbra, pyje më të mbrojtura e mjedis më të shëndetshëm janë angazhimet tona të çdoditshme. Vazhdojmë më tutje!”.

“Kjo është një nismë e përbashkët e Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e cila është realizuar me mbështetjen e Agjencisë Pyjore të Kosovës”./Telegrafi/